Brenda vitit një ligj i ri për investimet strategjike
Pas më shumë se një dekade zgjatjesh të njëpasnjëshme, qeveria synon të zëvendësojë ligjin aktual për investimet strategjike me një akt të ri brenda këtij viti.
Një ligj i përkohshëm që u shty gjashtë herë
Ligji për investimet strategjike u miratua në vitin 2015 me një afat fillestar trevjeçar, duke synuar nxitjen e investimeve në sektorë prioritarë si turizmi, energjia, transporti, bujqësia dhe zonat teknologjike. Afati i parë i përfundimit ishte 31 dhjetor 2018, por që nga ajo kohë ligji është shtyrë të paktën gjashtë herë.
Fillimisht afati u shty deri në fund të vitit 2019, më pas në 2020, 2021 dhe 2023. Në vijim, me propozim të deputetit Eduart Shalsi, ligji u zgjat deri në dhjetor 2024, ndërsa shtyrja e fundit u bë me propozim të ish-deputetes së Partisë Socialiste, Pranvera Resulaj, duke e çuar afatin përfundimtar në 31 dhjetor 2026.
Qeveria synon një kornizë të re ligjore
Për të shmangur një shtyrje të shtatë të afatit, shumica qeverisëse ka zgjedhur të hartojë një ligj të ri. Nisma do të përgatitet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe pritet të dalë për konsultim publik gjatë verës së këtij viti, për t’u paraqitur më pas në Kuvend për miratim.
Ligji aktual u konceptua si një instrument për të tërhequr investime të huaja në sektorë strategjikë, duke ofruar lehtësira fiskale, mbështetje infrastrukturore dhe procedura administrative të përshpejtuara. Megjithatë, në praktikë, përfituesit kryesorë të statusit të investitorit strategjik kanë rezultuar të jenë sipërmarrës vendas.
Turizmi sektori dominues
Gjatë dhjetë viteve të zbatimit, sektori që ka përthithur më shumë projekte me status strategjik ka qenë turizmi, me një përqendrim të dukshëm të investimeve përgjatë vijës bregdetare të vendit. Ende nuk dihet nëse ligji i ri do të zgjerojë gamën e lehtësirave, do të vendosë kufizime të reja apo do të riformatojë kriteret për përfitimin e statusit.
Drafti i ri pritet të qartësojë drejtimin që do të marrë politika e investimeve strategjike në vitet në vijim, në një kohë kur debati mbi transparencën dhe efektet reale të këtij instrumenti ka qenë i vazhdueshëm.